Friday, June 30, 2017

Hyn në fuqi urdhri i Trump për ndalimin e hyrjes së refugjatëve


Versioni i kufizuar i urdhrit të Donald Trump mbi vizat dhe ndalimin e udhëtimit ka hyrë në fuqi prej ditës së premte. Në bazë të tij, shtetasit nga 6 vende me shumicë myslimane do ta kenë të vështirë të shkelin tokën e Shteteve të Bashkuara, nëse nuk tregojnë se kanë lidhje të ngushta familjare atje, apo marrëdhënie biznesi.

Gjyshërit, tezet, hallat, xhaxhallarët ose nipat dhe mbesat nuk ndihmojnë dot në sigurimin e një vize. Rregullat e reja e përcaktojnë qartë se, familjar i ngushtë do të konsiderohet vetëm prindi, motra ose vëllai, fëmija dhe bashkëshorti.

Prej kësaj rregulloreje do të preken personat që vijnë nga Irani, Libia, Siria, Somalia, Sudani dhe Jemeni, si dhe të gjithë refugjatët. Vetëm disa minuta përpara se vendimi të hynte në fuqi, shteti i Hawait mësohet t’i ketë kërkuar sqarime një gjykatësi federal.

Në të kaluarën, ai e ka akuzuar qeverinë amerikane për shkeljen e udhëzimeve të Gjykatës së Lartë të vendit, përmes përjashtimit të padrejtë të njerëzve. Aktivistë e avokatë kanë deklaruar se do të zbarkojnë nëpër aeroportet amerikane për t’u siguruar që personat me viza të vlefshme do të lejohen të hyjnë në vend. Indinjata është e madhe.

“Duhej të ishte më e lehtë për familjet që jetojnë këtu, të mirëpresin të afërmit e tyre, përse jo? Përse e bëjnë kaq të vështirë? Unë do t’ua siguroj vet të gjitha, jetoj këtu prej vitesh, ky është vendi im, fëmijët e mi janë lindur këtu. Përse të afërmit e mi nuk lejohen të vijnë e të jetojnë me mua?”, tha Hanadi Alhaj.

Vendimin e saj përfundimtar mbi ndalimin e udhëtimit, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara do ta marrë në muajin tetor.

/ Top Channel

No comments:

Post a Comment